Hasani: Kurti ka luajtur rolin tërësisht gabim, vetëmenaxhimi do të sjellë pasoja afatgjate

Me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të bëhet një rend i ri paralel kushtetues, ka deklaruar ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani, në "Debat Plus" të RTV Dukagjini. Ai ka theksuar se nëse “vetëmenaxhimi” do t'i nënshtrohej një testi të Kushtetueses, është i bindur se nuk do ta kalonte

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka luajtur gabim rolin e tij, dhe për rrjedhojë, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të ketë pasoja afatgjate për Kosovën.

I ftuar në ”Debat Plus” të RTV Dukagjini, Hasani ka thënë se marrëveshja e arritur në Ohër në mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ajo e Brukselit, i japin autonomi komunitetit serb në Kosovë.

“Pa asnjë diskutim. Jo veç të Veriut, por komunitetit serb në Kosovë. Veriut është pak më e theksuar, mund të vendosen institucionet… pa asnjë diskutim. Territoriale për aq sa zbatohet në Veri”, ka thënë Hasani, gjersa ka theksuar se “Kryeministri i Kosovës ka luajtur rolin tërësisht gabim dhe kjo do të ketë pasoja afatgjate”.

Ndër të tjera, ish-kryetari Hasani ka thënë se me krijimin e Asociacionit do të bëhet një rend i ri paralel kushtetues, e me të, edhe e quajtura “Kushtetuta materiale”.

“Marrëveshja e Ohrit me planin e zbatimit do të prodhojë një rend paralel kushtetues. Ne i themi ‘Kushtetutë materiale’, e cila e rregullon materien e Kushtetutës, siç e rregullon kjo Kushtetuta Formale që e ka votuar Kuvendi, por pa ndjekur procedurat. Kjo është ‘Kushtetutë materiale’ e Kosovës që po krijohet. Këto struktura të kësaj autonomie të komunitetit serb do ta rivalizojnë, nuk është pushtet i tretë, se po të ishte pushtet i tretë e ke një kontroll mbikëqyrës”.

Ndër të tjera, Hasani ka deklaruar se një gjë e tillë ka dalë jashtë kontrollit të Kushtetueses dhe se po krijohet një rend i ri i saj, me të cilin, do të mësohet të jetohet. Sipas tij, nëse “Vetëmenaxhimi” do t’i nënshtrohej një testi të Kushtetueses, nuk do ta kalonte.

“Asnjëherë…jam i bindur që jo”, ka deklaruar ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Hasani: Këto çka thotë Kurti janë irelevante, marrëveshja e Ohrit përmban diçka tjetër

Ishte kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ai i cili kishte deklaruar se Marrëveshja e Ohrit nënkuptonte një njohje De Facto, për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, një deklaratë e tillë është irelevante.

“Këto që thotë ky [Albin Kurti] është irelevante, është tautologji fjalësh dhe nuk kanë asnjë efekt për qëllimet e implementimit, dhe ajo marrëveshje përmban diçka tjetër prej kësaj”, ka deklaruar Hasani, në “Debat Plus” të RTV Dukagjini.

Ambasadori Hill kishte deklaruar se dialogu ka për qëllim zgjidhjen e problemeve në mes Kosovës dhe Serbisë e jo ndonjë çështje tjetër siç është ajo e pakicave. Lidhur me këtë deklaratë është pajtuar edhe Hasani. Ky i fundit ka thënë se mbrojtja e pakicave nuk mund të jetë objekt reciprociteti.

“Kjo çka e thotë ambasadori Hill është e saktë dhe e thotë edhe ambasadori i Shqipërisë. Në të ardhmen po të pytej njëjtë… Mbrojtja e pakicave nuk mund të jetë objekt reciprociteti ndërmjet shteteve. Mbrojtja e pakicave ekziston në rendin ndërkombëtar, jo në rendin kushtetues”, ka deklaruar Hasani.

Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër, në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq.

BE-ja ka thënë se palët janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.

Ndër të tjera, mbrëmjen e së mërkurës, Kurti e pranoi që marrëveshja me Serbinë ka Asociacionin, ai e përmendi nenin 10, në të cilin, sipas tij, flitet për këtë gjë.

Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika