Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të ofrojë gjithashtu 15 nënshkrime, duke theksuar se një marrëveshje e tillë do të mundësonte që Kuvendi të ketë dy kandidatura konkurruese: një nga shoqëria civile dhe një nga LDK-ja.
“E tash, në këtë situatë, unë jam përballur shpesh me interesimet tuaja lidhur me atë listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës me 15 nënshkrime, e cila kishte datën e pardjeshme në mbrëmje, por nuk kishte emër sipër se për kë janë ato 15 nënshkrime.
Pasi përfundoi edhe ky vazhdim i një seance që nuk po përfundon dhe do të vazhdojë në orën 23:00, unë kam komunikuar menjëherë me kandidaten, profesoreshën Hatixhe Hoxha, dhe kam biseduar me të, me ç’rast ajo është dakorduar që të tërhiqet nga kandidatura nëse Lidhja Demokratike e Kosovës i sjell 15 nënshkrime për kandidatin e saj, kushdo qoftë.
Me atë rast, Lëvizja Vetëvendosje i plotëson edhe 15 nënshkrime të tjera nga mazhoranca, meqenëse tash lirohen ato nënshkrime me tërheqjen e Hatixhe Hoxhës, dhe në këtë mënyrë do të kishim një kandidat nga shoqëria civile dhe një kandidat nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ai shtoi se ndodhet në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe se pret që LDK të paraqitet me nënshkrimet e kërkuara për të vazhduar procesin.