Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit dhe Ushtruese e Detyrës së presidentes së Kosova, ka njoftuar se ka nënshkruar dekretin për hapjen e një misioni konsullor në Teksas, Shtetet e Bashkuara të Amerikës(SHBA).
Sipas saj, ky vendim përbën një hap të rëndësishëm për qytetarët kosovarë që jetojnë në Teksas dhe në rajonin përreth, duke lehtësuar shërbimet konsullore dhe duke afruar institucionet e Kosovës me diasporën.
Haxhiu theksoi se ky është gjithashtu një akt mirënjohjeje për mërgatën shqiptare në SHBA, e cila ndër vite ka luajtur rol të rëndësishëm në mbështetjen e Kosovës – nga periudha e rezistencës deri te procesi i shtetndërtimit.
Ajo shtoi se me hapjen e këtij misioni, Kosova rrit praninë e saj në një nga zonat më të rëndësishme ekonomike dhe shoqërore të SHBA-së, duke forcuar lidhjet me diasporën dhe partnerët ndërkombëtarë.