Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka pritur në takim Zejnulla Gashin, të cilit i ka dorëzuar dekretin për emërimin në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas Haxhiut, vendimi është marrë pas pranimit të propozimit dhe dokumentacionit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, si dhe pas një shqyrtimi të kujdesshëm dhe gjithëpërfshirës të materialeve të dorëzuara. Ajo tha se në proces janë marrë parasysh edhe informacionet relevante nga institucionet kompetente të sigurisë dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes.
Duke theksuar rëndësinë e këtij funksioni dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë, Haxhiu u shpreh se ka vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.
Ajo i uroi suksese Gashit në ushtrimin e detyrës, duke e cilësuar funksionin e Kryeprokurorit të Shtetit si një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues.
Haxhiu theksoi se lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndjekja e kriminelëve të luftës, dhunuesve dhe çdo forme tjetër të krimit duhet të marrin përgjigje të prerë nga organi i akuzës.
Ajo shtoi se pret që Kryeprokurori i ri ta ushtrojë detyrën me integritet të lartë profesional dhe moral, paanshmëri, guxim dhe përkushtim ndaj shtetit e qytetarëve, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
