Haxhiu: Dhuna është e patolerueshme, ky krim i tmerrshëm duhet dënuar maksimalisht
Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Prizren, ku një shtetas turk vrau vajzën e tij 15-vjeçare dhe plagosi rëndë vajzën tjetër 10-vjeçare si dhe bashkëshorten. Ajo shprehu ngushëllime për familjarët e vajzës së ndjerë dhe uroi shërim të shpejtë për vajzën e plagosur, duke theksuar se “fëmijët kanë […]
Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Prizren, ku një shtetas turk vrau vajzën e tij 15-vjeçare dhe plagosi rëndë vajzën tjetër 10-vjeçare si dhe bashkëshorten. Ajo shprehu ngushëllime për familjarët e vajzës së ndjerë dhe uroi shërim të shpejtë për vajzën e plagosur, duke theksuar se “fëmijët kanë të drejtën e patjetërsueshme të rriten të sigurt, të dashur dhe të mbrojtur.”
Haxhiu bëri thirrje për dënim maksimal dhe tha se ky është “akt i tmerrshëm i dhunës në familje” dhe i papranueshëm.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në Prizren, ku një shtetas turk me banim të përkohshëm në Republikën e Kosovës vrau vajzën e tij të mitur dhe plagosi rëndë vajzën tjetër 11-vjeçare. Ky akt i tmerrshëm i dhunës në familje është i papranueshëm dhe përbën një krim që duhet të dënohet maksimalisht. Në emrin tim personal dhe si Koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e vajzës së ndjerë dhe solidarizohem me qytetarët që me të drejtë ndjejnë zemërim dhe trishtim përballë këtij akti kriminal. Uroj shërim të shpejtë për vajzën që po merr trajtim mjekësor dhe përkujdesje të vazhdueshme për të kaluar këtë traumë të rëndë. Dhuna, në çdo formë të saj, është e patolerueshme. Fëmijët janë e ardhmja jonë dhe kanë të drejtën e patjetërsueshme të rriten të sigurt, të dashur dhe të mbrojtur dhe askush nuk ka të drejtë t’ua mohojë këtë të drejtë themelore. Institucionet përgjegjëse janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë.”, ka shkruar Haxhiu.
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë në Prizren, saktësisht reth orës 05:30, në rrugën “Shote Galica” . Prokuroria Themelore ka shpalosur detaje nga ky rast tragjik, ku fillimisht krimi ka ndodhur brenda familjes, ku një i dyshuar, babai ka privuar nga jeta vajzën e tij rreth 15-vjeçare me mjet të mprehtë, e cila ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Tutje në njoftim thuhet se edhe vajza tjetër,e moshës rreth 10 vjeç ka pësuar lëndime por që është jashtë rrezikut për jetë. Viktima është dërguar në QKUK për trajtim, por edhe nëna është lënduar. Motivet e kësaj vepre penale ende janë të panjohura. Prokuroria Themelore në Prizren tha se rasti është iniciuar si “vrasje e rëndë”.
“Prizren, 06 Maj 2025 – Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, informon opinionin publik se sot, më datë 06.05.2025, rreth orës 05:30, në rrugën “Shote Galica” në Prizren, ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë. Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, dyshohet se krimi ka ndodhur brenda rrethit familjar, ku i dyshuari – (shtetas turk), babai i vajzave, dyshohet se me një mjet të mprehtë (thikë) ka privuar nga jeta vajzën e tij rreth moshës 15-vjeçare, e cila ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Po ashtu, vajza tjetër, rreth moshës 10-vjeçare, ka pësuar lëndime trupore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë. E njëjta është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë mjekësor. Po, ashtu lëndime trupore ka pësuar edhe bashkëshortja e të dyshuarit (nëna e vajzave). I dyshuari gjithashtu është vetlënduar, por është jashtë rrezikut për jetë. Nga pranimi i informatës në orët e hershme të mëngjesit, në vendin e ngjarjes ndodhet Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ku pritet që me njësitet relevante policore, së bashku me krim tekniken dhe zyrtarët e IML-së, të pëfundojnë procedurat hetimore në vendin e ngjarjes.
Prokuroria Themelore në Prizren, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti tragjik.”, vijon njoftimi i Prokurorisë Themelore Prizren.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe kryeprokurori i Themelores në Prizren, Petrit Kryeziu.















