Haxhiu dorëzon dy ankesa në PZAP për votat me postë dhe llogaritjen e gabuar të rezultatit përfundimtar
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka njoftuar se ka dorëzuar dy ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Sipas Haxhiut, ankesat kanë të bëjnë me përfshirjen e mbi 23 mijë pakove të fletëvotimeve me postë […]
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka njoftuar se ka dorëzuar dy ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Sipas Haxhiut, ankesat kanë të bëjnë me përfshirjen e mbi 23 mijë pakove të fletëvotimeve me postë nga votimi jashtë Kosovës, të cilat, siç pretendon ai, kanë arritur pas afatit ligjor dhe janë përfshirë në proces në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Po ashtu, ai ka ankimuar edhe llogaritjen e rezultatit përfundimtar, duke vlerësuar se ka pasur gabime që kanë ndikuar në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve.
“Ankesat lidhen me: 1. Përfshirjen e 23,323 pakove të fletëvotimeve me postë nga votimi jashtë Kosovës, të pranuara pas afatit ligjor, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme; 2. Llogaritjen e gabuar të rezultatit përfundimtar, i cila ka ndikuar në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura me 28.12.2025.
Afatet zgjedhore dhe barazia e votës nuk janë rekomandime, ato garantojnë barazinë e votës dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor. Asnjë vendim administrativ i KQZ, nuk mund të ndryshojë ligjin dhe Kushtetutën”, ka shkruar ai në Facebook.















