Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se ka ofruar dorëheqjen nga pozita e kryeparlamentares me qëllim shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe gjetjen e një marrëveshjeje politike për tejkalimin e krizës institucionale në vend.
Haxhiu, u shpreh se ka kërkuar nga të gjitha grupet parlamentare që të angazhohen maksimalisht për të shmangur zgjedhjet dhe për të vazhduar me përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit të shtetit, duke theksuar rëndësinë e dialogut politik.
“Së pari, mendoj që nuk është mirë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Unë e kam shpjeguar disa herë që kemi shumë punë para vetes, shumë reforma që duhet t’i shtyjmë përpara, një agjendë legjislative ambicioze e Qeverisë së Republikës së Kosovës që përmban diku 174 projektligje, secili projektligj më i rëndësishëm se tjetri. Por edhe për shumë aspekte të tjera, jo vetëm ato të brendshme, por edhe të jashtme. Në këtë drejtim, unë kam kërkuar edhe publikisht që të gjitha grupet parlamentare të bëjnë përpjekje maksimale që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, por që t’i jepet mundësia takimeve dhe një marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së vendit. Ka qenë shumë e rëndësishme që të dëshmohet vullnet, gatishmëri, seriozitet, përkushtim maksimal që ta tejkalojmë këtë sfidë që e kemi para vete. Për faktin se vitin e kaluar ne kemi humbur shumë, me mos-konstituim fillimisht të Kuvendit të Republikës së Kosovës e pastaj me mos-votimin e Qeverisë, edhe me mos-votimin e Kryeministrit Kurti edhe të kandidatit tjetër Glauk Konjufca”, tha Haxhiu.
Duke folur për situatën politike, Haxhiu kritikoi opozitën duke thënë se nuk po tregohet gatishmëri për kompromis.
Ajo gjithashtu përmendi se janë bërë oferta politike për zgjidhje, përfshirë edhe çështjen e pozitës së Kryetarit të Kuvendit, por sipas saj ato nuk janë pranuar.
“Prandaj mendoj që me këtë qasje nuk po tregohet përkushtim, nuk po tregohet vullnet që vendit t’ia japim një President me mandat pesë vjeçar. Dhe mua po më duket si ‘deja vu’. Ne kemi bërë aq sa kemi mundur, aq sa kemi pasur si me thënë në dorë prej nesh. Ju e dini që ne kemi ofruar edhe pozitën e Kryetarit të Kuvendit, sepse çka na duhet pozita e Kryetarit të Kuvendit nëse dikush e kërkon këtë dhe nëse kjo e parandalon zgjedhjet e jashtëzakonshme? Por mendoj që mungesa dhe refuzimi i të gjitha propozimeve, ofertave që Kryeministri Kurti i ka bërë në drejtim të partive opozitare, PDK dhe LDK, mendoj që nuk i ndihmon vendit. Ne nuk i frikësohemi zgjedhjeve, por mendoj që nuk ka të bëjë kjo me kush është më trim e kush është më i guximshëm, por a janë zgjedhjet në interes të qytetarëve. Ne mendojmë, unë personalisht mendoj që nuk janë në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Se a do të jem në listën e kandidatëve për deputetë, për këtë vendos Kryesia e Vetëvendosjes, por që ligjërisht nuk është e ndaluar”, tha Haxhiu.
Mes tjerash, Haxhiu theksoi se duhet të vazhdojnë përpjekjet brenda Kuvendit për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe për të arritur një marrëveshje politike.
“Unë mendoj që në qoftë se kjo e parandalon që vendi të shkojë në zgjedhje, po bën shumë mirë. Pra ne jemi të koordinuar për secilin veprim. Ne vetë kemi ofruar si me thënë, sepse unë kam dëgjuar së pari partitë politike që kanë thënë që nuk bën një subjekt politik t’i ketë tri pozitat: ta ketë Kryetarin e Kuvendit, ta ketë Qeverinë, pra Kryeministrinë, dhe në anën tjetër Presidencën. Prandaj kanë thënë që një nga pozitat e larta është pozita e Kryetarit të Kuvendit, le ta marrin. Le ta marrin, mirëpo nuk po dëshirojnë që të ketë zgjidhje politike, sepse prapë Vetëvendosja e ka shumicën në Kuvend. Edhe nëse u ofrohet LDK-së ose PDK-së, prapë gjithçka që duam me çu përpara, Vetëvendosja është ajo e cila vendos për shkak të shumicës në Kuvend. Po nëse Vetëvendosje thotë që do ta bëjë këtë, e bën, sepse nuk ka pasur ndonjë rast që Vetëvendosje ka thënë diçka dhe ka vepruar ndryshe. Prandaj mendoj që është e rëndësishme edhe një herë që t’i rikthehemi takimeve dhe të dëshmojmë vullnet që mos ta dërgojmë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Haxhiu.