Kandidatja e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme në lidhje me konstituimin e Kuvendit.

Para nisjes së seancës së 52-të, ajo deklaroi se edhe pse PDK dhe LDK e kishin dërguar çështjen në Kushtetuese, ato nuk kishin kërkuar masë të përkohshme.

Sipas Haxhiut, vendimi i Gjykatës është në përputhje me aktgjykimin e mëhershëm që përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga seanca e parë.

“Duhet pasur parasysh se as PDK-ja e LDK-ja nuk kishin kërkuar masë të përkohshme, pra edhe përkundër faktit që e kishin dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese, nuk kishin kërkuar masë të përkohshme, megjithatë duke pasur parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, pra këtë të fundit, gjykata siç e dini, seanca konstituive duhet të ndodh, pra Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor, dhe është e natyrshme, është normale që në këto rrethana kur nesër kemi ditën e fundit, Gjykata të marr masën e përkohshme, dhe jo pse këtë ia ka kërkuar PDK-ja dhe LDK-ja”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu paralajmëroi se në mungesë të reflektimit nga subjektet politike, zgjidhja e vetme do të mbeten zgjedhjet.

“Bëhen disa ditë që opozita nuk ka marrë fare pjesë në votim. Nëse nuk ka reflektim dhe në raport me analizën kushtetuese, e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet”.