Haxhiu – Haradinajt: Për shkak teje një ish-prokuror special është dashur ta lëshojë vendin
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka replikuar kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, duke i thënë se nuk është kompetent të flasë për ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë, pasi sipas saj një ish-prokuror special është detyruar të lëshojë vendin për shkak të tij në kohën kur ka qenë kryeministër. “Në […]
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka replikuar kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, duke i thënë se nuk është kompetent të flasë për ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë, pasi sipas saj një ish-prokuror special është detyruar të lëshojë vendin për shkak të tij në kohën kur ka qenë kryeministër.
“Në Republikën e Kosovës një prokuror special është detyruar të lëshojë vendin për shkak teje, sepse sa ke qenë kryeministër ke kërkuar raport me shkrim për 30 ditë që të japë informacion për lëndët që ai ka qenë duke hetuar. Si kryeministër i vendit nuk ke të drejtë të kërkosh llogari për lëndët që heton, për shkak të qasjes tënde i njëjti nuk është mbrojtur”, ka thënë Haxhiu.
Ndërsa Haradinaj ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me vetëdije ka krijuar korrupsionin politik, ku sipas tij është krijuar lidhja e dostave.
“Albin Kurti e ka krijuar modelin e shkurtër të korrupsionit të dostave e këtu doste e ka edhe këtë ministre. Unë po i them Kosovës si vijon, Albin Kurti me vetëdije e ka krijuar korrupsionin politik dhe lidhjen e shkurtër të dostave, dhe një prej tyre është edhe ministrja. Ju lutem mos shkoni në këtë lidhje të korrupsionit”, ka thënë Haradinaj.















