Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kujtuar policët e rënë në detyrë në Ditën Memoriale të Policëve të Rënë në Detyrë.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka shkruar se ka bërë homazhe pranë lapidarit që mban emrat e 24 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët humbën jetën duke kryer detyrën e tyre.
“Nga Lazim Rexhepi, polici i parë i rënë në detyrë në Kosovën e pasluftës, deri te Muhamed Lika, secili prej këtyre emrave është pjesë e historisë së Policisë së Kosovës dhe të shtetit tonë”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka përmendur edhe zyrtarët policorë Enver Zymeri dhe Afrim Bunjaku, duke theksuar se rënia e tyre dëshmon sakrificën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në mbrojtje të rendit, sigurisë dhe sovranitetit të vendit.
“Rënia e tyre tregon sa e rëndë mund të bëhet detyra e policit kur vihet në mbrojtje të rendit, sigurisë dhe sovranitetit të vendit”, ka shkruar ushtruesja e detyrës së presidentes.
Haxhiu ka vlerësuar edhe punën e përditshme të mijëra pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duke theksuar besimin që qytetarët kanë ndaj këtij institucioni.
“Sot i kujtojmë me respekt të gjithë policët e rënë në detyrë. Republika e Kosovës do ta ruajë kujtimin e tyre dhe do të qëndrojë pranë familjeve që ata lanë pas”, ka përfunduar Albulena Haxhiu.