Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe do të hyjë në fuqi 15 ditë pas publikimit.

Ajo ka theksuar se reforma në drejtësi do të vazhdojë pa u ndalur, pavarësisht përpjekjeve për ta penguar atë përmes “dorëheqjeve të orkestruara”.

“Të gjitha përpjekjet për ta minuar reformën me dorëheqje të orkestruara dhe skenarë të vjetër kanë dështuar. Reforma nuk ndalet. Ajo është në lëvizje dhe do të ndodhë, kot mundohen ta ndalojnë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Kuvendi i Kosovës miratoi këtë ligj më 11 korrik 2024, ndërsa Këshilli Prokurorial shprehu kritika, duke e konsideruar ndryshimin si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Ligji i ri përcakton përbërjen dhe mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të KPK-së, që do të përbëhet nga shtatë anëtarë: kryeprokurori, tre prokurorë dhe tre anëtarë joprokurorë, të cilët do të kenë mandat pesëvjeçar.