Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur të enjten në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe çështjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit është diskutuar edhe nevoja për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës brenda afatit të mbetur kushtetues.
Haxhiu ka shprehur shqetësimin e saj dhe të qytetarëve të Kosovës lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ajo ka deklaruar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i mbështesin ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në procesin e apelit.
“Nënvizova se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i mbështesin ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në procesin e apelit. Në këtë drejtim, do të angazhohemi për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, duke i bashkërenduar veprimet me ekipet mbrojtëse dhe ekspertët, në mënyrë që mbështetja jonë t’u shërbejë sa më mirë atyre në këtë proces”, ka thënë Haxhiu.
Në takim është diskutuar edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i dorëzuar më 14 dhjetor 2022.
Haxhiu ka kërkuar që BE-ja ta shqyrtojë këtë aplikim, ndërsa ka kërkuar edhe angazhimin e drejtpërdrejtë të von der Leyen në këtë proces.
Palët kanë diskutuar edhe për zbatimin e Planit të Rritjes dhe reformat që e presin Kosovën.
“Bisedova edhe për zbatimin e Planit të Rritjes dhe reformat që na presin. Kosova ka dorëzuar Agjendën e Reformave, ka ratifikuar marrëveshjet përkatëse dhe ka filluar të përfitojë nga parafinancimi”, ka thënë Haxhiu.