Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
Haxhiu ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin e tyre nga detyra.
“Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ajo ka theksuar se institucionet e Kosovës funksionojnë mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit.
“Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve.
