Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka akuzuar partitë opozitare për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se kërkesat dhe veprimet e tyre janë në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Haxhiu tha se gjatë seancës konstituive nuk parashihet debat mes partive, duke iu përgjigjur LDK-së, e cila kundërshtoi ftesën e kryesuesit Avni Dehari për konsultime gjatë seancës.

“Më rregulloren e punës së kuvendit debati në seancën konstituive nuk lejohet, pra është e ndaluar. Nuk mund të ketë debat të partive politike, të grupeve që ende nuk janë formalizuar të Kuvendit pra që të diskutojnë aty për situatën aktuale.  AAK-ja tha që duhet të vazhdojmë aty ku kemi mbetur, por nuk mund të vazhdojmë aty ku kemi mbetur meqë kemi vendim të Kuvendit që nuk i ka verifikua mandatet e deputetëve të Kuvendit, pra nuk mund të betohemi sepse nuk e kemi konsumuar, gjegjësisht pika e verifikimit të mandatet është adresuar, por pra ka vendim që nuk i verifikon mandatet e deputetëve”, ka deklaruar ajo.

Sipas Haxhiut, befasuese ishte kërkesa e PDK-së për dorëheqjen e ministrave në detyrë, duke sqaruar se ato janë dhënë para seancës së 15 prillit dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është njoftuar me kohë, para certifikimit të rezultateve.

“Në anën tjetër PDK-ja sërish kërkoi dorëheqjen tonë, nuk e di çfarë po presin që ne të dalim në shesh që të themi se ne dorëhiqemi nga postet por këtë e kemi bërë me shkrim, para se seancë atë fillojë atë ditë”, ka shtuar ajo.

“Ka një tendencë të qartë për ta bllokuar konstituimin e Kuvendit. Për këtë, përgjegjësia bie mbi partitë opozitare”, ka theksuar tutje Haxhiu.