Haxhiu pas aktgjykimit të Speciales: Një ditë e rëndë për Kosovën, qëndroni të fortë – Kosova është me ju

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu

U.D. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Haxhiu ka thënë se aktgjykimi dhe dënimet e shqiptuara përbëjnë një goditje të rëndë për familjet e tyre dhe një moment të rëndë për Kosovën.

“Aktgjykimi i sotëm dhe dënimet e shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë një goditje e rëndë për familjet e tyre, një lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës dhe një çast i rëndë për kombin shqiptar kudo që jeton”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se Kosova e ka përjetuar dhunën e aparatit shtetëror serb, duke përmendur vrasjet e civilëve, masakrat, dëbimet dhe personat e vrarë e të zhdukur gjatë luftës.

“Mendimet e mia janë, para së gjithash, me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Prej vitesh ato mbajnë barrën e mungesës, pritjes dhe pasigurisë. Dënimet e sotme e bëjnë këtë barrë edhe më të rëndë”, ka thënë ajo.

Haxhiu u ka bërë thirrje familjeve që të qëndrojnë të forta, duke theksuar se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar në të gjitha shkallët.

“Atyre ua përcjell nga Kosova një porosi, qëndroni të fortë, Kosova është me ju. Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht”, ka shkruar Haxhiu.

U.D. Presidentja ka deklaruar gjithashtu se, sipas saj, lufta e UÇK-së ishte çlirimtare dhe se aktgjykimet nuk mund ta ndryshojnë historinë e Kosovës.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare. Ajo lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet”, ka deklaruar ajo.

Në fund, Haxhiu ka bërë thirrje për qetësi, dinjitet dhe bashkim, duke thënë se Republika e Kosovës do ta përballojë edhe këtë situatë duke i qëndruar besnike drejtësisë, lirisë dhe asaj që ajo e cilëson si të vërtetën e saj historike.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika