U.D. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Flora Brovinës, duke e cilësuar atë si një grua që ia kushtoi gjithë jetën njerëzve dhe vendit të saj.
Haxhiu ka kujtuar kontributin e Brovinës si mjeke, humaniste dhe veprimtare për të drejtat e njeriut, veçanërisht gjatë viteve më të vështira për Kosovën.
“U.D. Presidentja e Kosovës sot humbi Flora Brovinën, gruan që ia kushtoi gjithë jetën njerëzve dhe vendit të vet”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se Brovina ishte pranë fëmijëve dhe familjeve në kohë të vështira, ndërsa organizoi, ndihmoi dhe protestoi kundër dhunës dhe represionit.
“Edhe kur kjo e vuri drejtpërdrejt përballë regjimit serb, nuk u tërhoq”, ka shkruar Haxhiu.
Haxhiu ka përmendur edhe arrestimin e Brovinës në pranverën e vitit 1999 dhe burgosjen e saj në Serbi, duke e cilësuar atë të burgosur politike, veterane të luftës së UÇK-së dhe pjesë të brezit që sakrifikoi për lirinë e Kosovës.
Në reagimin e saj, Haxhiu ka vlerësuar edhe kontributin e Brovinës në letërsinë shqipe, si dhe angazhimin e saj institucional pas luftës.
“Për vite me radhë ishte deputete e Kuvendit të Kosovës dhe nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë”, ka theksuar ajo.
Në fund, Haxhiu ka shprehur ngushëllime për familjen Brovina dhe Begu, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e kanë njohur dhe vlerësuar Flora Brovinën.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për Flora Brovinën”, ka përfunduar Haxhiu.