Haxhiu për gruan e vrarë: Nesër mblidhet grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit me secilin veprim institucional
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar në lidhje me rastin tragjik ku u vra një grua shtatzënë brenda oborrit të QKUK-së. Ajo ka thënë se të enjten në orën 08:30, do të mblidhet “grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional”. Ajo është shprehur e tronditur nga […]





Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar në lidhje me rastin tragjik ku u vra një grua shtatzënë brenda oborrit të QKUK-së.
Ajo ka thënë se të enjten në orën 08:30, do të mblidhet “grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional”.
Ajo është shprehur e tronditur nga vrasja mizore e gruas e cila dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj, me të cilin ishin në procedura të divorcit.
“Gruaja që priste fëmijën të sillte në këtë botë, vritet nga burri i saj, në vendin ku lindin fëmijët e vendit tonë, ku gratë bëhen nëna, nga atje ku lindë një jetë e re. Me shpresën për një botë më të mirë. Një grua që duhej të mbrohej. Ajo u shua. U shua bashkë me fëmijun ende të pa lindur. Këto krime të rënda na bëjnë të kuptojmë që femicidi është i përhapur në shoqërinë tonë. Rastet si ky na bëjnë të kuptojmë që pavarësisht veprimeve që kemi ndërmarrë, kemi edhe shumë punë për të bërë”, ka thënë ajo.
Lufta ndaj dhunës së grave, sipas Haxhiut është shumë e vështirë, dhe duhet e tërë shoqëria ta luftojë atë.
Lufta me femicidin mund të jetë e vështirë por nuk guxojmë të humbim shpresat por të bashkohemi si institucione dhe si shoqëri për luftimin e femicidit që po merr jetët e grave.
Në fund Haxhiu u ka shprehur ngushëllime të gjithë familjarëve të viktimës.
Ndryshe, Portali Dukagjini, ka mësuar se Gjykata Themelore në Ferizaj, kishte vendosur urdhër-mbrojtje për gruan tashmë të ndjerë.




















