Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka cilësuar si lajm të mirë miratimin në dy lexime Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, duke thënë se ky është hap i rëndësishëm.

Përmes një postimi në “Facebook”, të enjten Haxhiu ka shkruar se ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit

“Në seancën e sotme, përveç tjerash, u miratuan në të dy leximet dy ligje të rëndësishme: Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Ligji për Gjykatën Administrative. Ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit. Falenderoj deputetët për angazhimin dhe mbështetjen e tyre në këtë proces, me shpresën që opozita të mos përdorë Gjykatën Kushtetuese me qëllim të zvarritjes së tyre”, ka shkruar Haxhiu.

Dje me 62 vota për, në Kuvendin e Republikës së Kosovës është miratuar edhe në lexim të dytë Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe abstenim.