Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherësh kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar kontributin e akademikut Rexhep Qosja gjatë seancës së veçantë përkujtimore të mbajtur në nderim të tij.
Ajo ka theksuar se institucionet kryesore akademike e kulturore, si Instituti Albanologjik dhe Universiteti i Prishtinës, si dhe fusha të ndryshme si letërsia, teatri, filmi dhe debati publik, mbështeten në punën, guximin dhe praninë e Qosjes.
Sipas Haxhiut, te Qosja kultura, libri dhe intelektuali kishin gjithmonë një detyrë, duke bërë që vepra e tij të dalë përtej kufijve të bibliotekës dhe të bëhet pjesë e historisë politike të Kosovës.
Ajo ka theksuar se Qosja e përdori argumentin si mjet për mbrojtjen e identitetit dhe të drejtës shqiptare, madje edhe para se këto të artikuloheshin në tryezat politike. Ndërsa në vitet ’90 dhe më pas, përmes publicistikës dhe intervistave, ai artikuloi qartë të drejtën e Kosovës për vetëvendosje.
Haxhiu rikujtoi edhe një deklaratë të vitit 1991 të Qosjes, ku ai kishte theksuar se vendosmëria e popullit shqiptar do të vazhdonte deri në arritjen e së drejtës për vetëvendosje politike dhe territoriale.
“Qosja e ktheu argumentin me mjet mbrojtjeje për identitetin dhe të drejtën shqiptare para se kjo e drejtë të merrte formë në tryezat politike. Më vonë në politikat e viteve të dhjetë, në publicistikën e viteve nëntëdhjetë dhe në intervistat ku artikuloi të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, dëshmon se për krijuesin shqiptar heshtja nuk mund të ishte strehë në kohë shtypjeje. Fjala e Qosja ishte detyrim ndaj së vërtetës dhe ndaj popullit. Në vitin 1991, në një intervistë për shtypin beogradas, kur Jugosllavia po shpërbëhej dhe Kosova mbahej në shtypje, akademik Qosja deklaronte se këmbëngulja dhe vendosmëria e popullit shqiptar do të vazhdonin përballë vuajtjeve deri sa Kosova të arrinte të drejtën që i takonte, të drejtën për vetëvendosje politike dhe territoriale”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo u shpreh se akademik Qosja nuk kërkoi nderime për veten, por theksoi se shteti ka detyrim t’i nderojë ata që me veprën e tyre kanë nderuar kombin dhe shtetin, duke shtuar se kujtimi për të do të mbetet i përhershëm në kulturën dhe historinë e Kosovës.
“Akademik Qosja nuk kërkoi nderime për vetën, por Republika ka detyrë t’i nderojë ata që me veprën e tyre e kanë nderuar shtetin dhe e kanë nderuar kombin. Kujtimi për të do të mbetet aty ku ai e vendosi gjithë veprën e ti, në kulturën shqiptare, në mendimin kritik, në gjuhën shqipe dhe në historinë politike shpirtërore të Kosovës. Nderim përjetshëm për akademik Rexhep Qosja e paharruar qoftë vepra e tij”, kështu ka deklaruar ajo.