Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka akuzuar partitë opozitare se po bëjnë sulme seksiste dhe mizogjene ndaj saj.

Ajo ka theksuar se kundërshtimi ndaj saj nuk bazohet në argumente të qëndrueshme.

“Nuk i kuptoj arsyet publike që i ka dhënë opozita për kundërshtimin tim. Më quajnë përçarëse, konfliktuoze, por jam e hapur të diskutoj për secilën çështje që kam bërë. Asnjëherë nuk kam vepruar kundër interesave të qytetarëve. Sulmet seksiste dhe mizogjene janë të papranueshme”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka komentuar edhe situatën rreth votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, duke kritikuar qëndrimin e opozitës.

“Sot ishte hera e 17-të që propozimi për votimin e fshehtë vendoset në rend dite. Procedura ka filluar që nga 1 maji, por opozita, me një inat irracional, refuzon të marrë pjesë në votim”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka bërë të ditur se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese pas ankesës së AAK-së për procedurën e votimit të fshehtë.

“Kanë kaluar tri javë prej kur AAK e ka dorëzuar ankesën, por ende nuk kemi përgjigje. Shpresojmë që Gjykata të veprojë në përputhje me rrethanat”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë, deputetja e VV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka theksuar se bllokada nuk ka të bëjë me emrin e kandidatit, por me refuzimin e opozitës për të lejuar votimin.