Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim admiralin George M. Wikoff, Komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta në Napoli, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës, KFOR-it dhe NATO-s.
Përmes një njoftimi në Facebook, Haxhiu bëri të ditur se gjatë takimit e ka falënderuar admiralin Wikoff për angazhimin e tij dhe për rolin e KFOR-it në garantimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ajo theksoi se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i pandryshueshëm dhe se anëtarësimi në NATO vazhdon të jetë një nga objektivat kryesore strategjike të vendit, duke nënvizuar se Kosova do të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin me Aleancën dhe të kontribuojë në sigurinë rajonale.
