Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se regjistri për të dënuarit që kryejnë veprën penale të dhunimit seksual, do të jetë i veçantë dhe lehtë i qasshëm për publikun.

Haxhiu, ka thënë se janë marrë një mori masash, për ta shtuar dënimin për personat që kryejnë dhunime seksuale. Disa nga këto masa janë: Heqja e të drejtës për përfitimin e patentshoferit dhe për drejtimin e automjetit, pamundësia për të qenë pjesë e listave zgjedhore, pamundësia për t’u punësuar në institucione publike. Po ashtu, ministrja Haxhiu bëri të ditur se gjykatat tash e tutje do të urdhërorjnë për publikimin e aktgjykimeve për personat që dënohen nën akuzat për dhunim seksual.

“Krahas dënimit që ia jep për veprën që e ka bërë, po ashtu të parasheh ndalimin e punësimit në sektorin publik në të gjitha nivelet për personin i cili shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit. Po ashtu ndalimin të kandidoj në lista për pozicione qoftë në nivelin lokal apo qëndror”, ka thënë ajo.

“Po ashtu, heqja e të drejtës për përfitimin e patentshoferit dhe të drejtën e drejtimit të automjetit, për shkak se kemi vendosur disa të drejta për qytetarët dhe kemi vlerësuar se cilat të drejta mund të merret si e tillë. Gjithashtu për të gjithë personat që shpallen fajtor për veprën penale të dhunimit, gjykata urdhëron publikimin e aktgjykimit që po ashtu është e rëndësishme”, ka vijuar ajo.

Regjistri për personat e dënuar për veprën penale të dhunimit seksual do të publikohet në ëebfaqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Haxhiu, ka thënë se pret nga Kuvendi i Kosovës, që t’i miratojë këto ndryshime të Kodit Penal.