Ambasadori i Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftari, është liruar nga detyra e shefit të Misionit të Kosovës në Selinë e Shenjtë, pas përfundimit të mandatit të tij.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Miftari përmes një njoftimi në Facebook, ku ka theksuar se ka pranuar dekretin e ushtrueses së detyrës së presidentes Albulena Haxhiu për lirimin e tij nga kjo pozitë, duke e cilësuar si përmbyllje të një mandati dyvjeçar.
Ai ka deklaruar se shërbimi në Vatikan ka qenë një nder i veçantë, si dhe ka vlerësuar se gjatë kësaj periudhe janë konsoliduar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë.
Ai ka falënderuar edhe ish-presidenten Vjosa Osmani për besimin e dhënë.
“Falënderoj Presidenten Osmani për besimin, secilin prej jush për përkrahjen dhe Selinë e Shenjtë për dashurinë me të cilën më mirëpriti e më ofroi bashkëpunim.
Kanë qenë dy vjet plot angazhim e sfida të njëpasnjëshme, ndonjëherë të pakuptimta, me më shumë a më pak përkrahje, por të bukura e frytdhënëse, gjithsesi”, ka shkruar ai.