Haxhiu: Shteti i së drejtës nuk ka alternativë, ai do të bëhet
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas votimit të Komisionit AdHoc për Vetingun në drejtësi, të cilin e ka cilësuar lajm shumë të mirë, pasi sipas saj, do të mundësojë zhvillim dhe jetësim të reformës në drejtësi. “Padyshim se ky është një lajm shumë i mirë, i cili do të mundësojë tutje zhvillimin dhe […]





Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas votimit të Komisionit AdHoc për Vetingun në drejtësi, të cilin e ka cilësuar lajm shumë të mirë, pasi sipas saj, do të mundësojë zhvillim dhe jetësim të reformës në drejtësi.
“Padyshim se ky është një lajm shumë i mirë, i cili do të mundësojë tutje zhvillimin dhe jetësimin e reformës në drejtësi”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se pas votimit të këtij Komisioni, shteti i së drejtës në Kosovë do të bëhet.
“Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, sapo u votua Komisioni AdHoc për Vetingun në drejtësi. Shteti i së drejtës nuk ka alternativë, ai do të bëhet!”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e saj në Facebook.
Haxhiu njashtu ka thënë se sistemi i drejtësisë ka nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë profesionalë dhe me integritet, të cilët janë llogaridhënës dhe transparent.
“Sistemi i drejtësisë, duhet ta ketë besimin e qytetarëve dhe ka nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë profesionalë e me integritet, llogaridhënës dhe transparent. Ky proces do t’i garantojë këto”, ka theksuar Haxhiu.
Ndër të tjera, Haxhiu i ka uruar punë të mbarë Komisionit AdHoc për vetingun në drejtësi, i cili u votua në seancën e të premtes së 9 dhjetorit, në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“I uroj punë të mbarë Komisionit dhe zotohem që Ministria e Drejtësisë me gjitha kapacitetet do të jetë në dispozicion të Komisionit”, ka përfunduar Haxhiu.




















