Haxhiu: Stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike, opozita të mos e shënjestrojë

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj tensioneve të ditëve të fundit, duke kërkuar që stafi profesional i Kuvendit të mos përfshihet në këto përplasje.

Haxhiu ka thënë se mospajtimet politike duhet të mbeten përgjegjësi e atyre që mbajnë përgjegjësi politike, ndërsa stafi i Kuvendit duhet të vazhdojë punën në kuadër të përgjegjësive institucionale.

“Mospajtimet dhe përplasjet politike duhet të mbeten mes atyre që mbajnë përgjegjësi politike. Opozita nuk duhet ta përfshijë stafin profesional të Kuvendit në këto përplasje, ta vërë nën presion apo ta shënjestrojë për shkak të punës që kryen në kuadër të përgjegjësive të veta institucionale”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo u ka bërë thirrje atyre që kanë vërejtje ndaj punës së saj që t’i adresojnë ato drejtpërdrejt tek ajo ose përmes mekanizmave institucionalë.

“Nëse opozita ka vërejtje ndaj punës sime, le t’i adresojë ato drejtpërdrejt tek unë ose përmes mekanizmave institucionalë”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas saj, nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike apo të krijohet përshtypja se ata i shërbejnë një individi apo subjekti politik vetëm për shkak të detyrave që kryejnë.

“Stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë”, ka theksuar ajo.

Haxhiu e ka dënuar publikisht, siç ka thënë, këtë qasje dhe ka kërkuar që çdo pretendim ndaj zyrtarëve të Kuvendit të paraqitet me fakte dhe përmes rrugëve institucionale.

“Këtë sjellje e dënoj publikisht dhe kërkoj që çdo pretendim konkret të paraqitet me fakte dhe në rrugë institucionale, e jo përmes sulmeve dhe insinuatave ndaj zyrtarëve të Kuvendit”, ka shkruar Haxhiu.

Të fundit nga rubrika