Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për përdorimin e sofizmit dhe mashtrimeve në jetën publike.

Haziri ka deklaruar se ai kishte paralajmëruar se qytetarët do të shokohen nga Kurti.

Në një postim në Facebook, Haziri ka theksuar se jeta publike e Kurtit përshkruhet nga “sofizma, mashtrime e keqinterpretime të realiteteve,” me qëllim mbajtjen e pushtetit.

Haziri ka kritikuar gjithashtu doracakët për edukimin seksual, duke e quajtur këtë një pjesë të ideologjisë së Kurtit.

“Edhe mbrëmë, për kushedi të satën herë, Kurti tentoi ta keqinterpretojë realitetin, duke u viktimizuar se janë bërë cak i fushatës propagandistike, por në fakt edukimi seksual është pjesë e ideologjisë së tij dhe ky doracak skandaloz është bërë me qëllim”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se tragjedia më e madhe është se disa hoxhallarë janë bërë “ateistë” dhe e kanë shpallur veten “myfti”.

Haziri ka shprehur optimizëm për të ardhmen e Kosovës, duke theksuar se shumica e kosovarëve mbështesin “Rrugën e Re për Kosovën”, me Lumir Abdixhikun në krye.