Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se qëndrimi i partisë lidhur me kandidatin për postin e presidentit të Kosovës mbetet i pandryshuar.
I pyetur nëse Vjosa Osmani vazhdon të jetë emri i propozuar nga LDK-ja për këtë pozitë, Haziri tha se “asgjë nuk ka ndryshuar”.
Deklarata u bë në një konferencë për media, në orët e fundit të afatit kushtetues për konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.
Haziri tha se gjatë negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje, LDK-ja ka kërkuar atë që ai e cilësoi si “balancë institucionale”, duke mohuar se partia e tij po kërkon institucione vetëm për vete.
“S’kemi marrë institucione vetëm për vete. S’po flasim për pozitën e kryeministrit sot. Por për balancim të rolit tonë. Nëse qeverinë e ka partia e parë, duhet të balancojë pushtetin me partnerët”, tha Haziri.
Sipas tij, zgjedhja e presidentit me dy të tretat e votave e bën atë një figurë konsensuale dhe garantuese të rendit kushtetues.
“Kur zgjidhet një president me 2/3 është konsensual dhe e merr Kushtetutën nën sqetulla, është i të gjithëve dhe ruan rendin kushtetues”, deklaroi ai.
Duke folur për procesin e konstituimit të Kuvendit, Haziri kritikoi vendimin e kryesuesit Avni Dehari për ta caktuar vazhdimin e seancës për të shtunën, ndonëse afati kushtetues për përfundimin e këtij procesi përfundonte të premten.
Ai tha se partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK – qëndruan në Kuvend gjatë orëve të fundit të së premtes me qëllim “mbrojtjen e rendit kushtetues”, ndërsa vlerësoi se Vetëvendosje duhej ta kishte mundësuar vazhdimin e seancës gjatë së premtes.
Sa i përket pjesëmarrjes së LDK-së në seancën e caktuar për të shtunën, Haziri bëri të ditur se vendimi do të merret nga kryesia e partisë gjatë mëngjesit.
Ai theksoi gjithashtu se LDK-ja mbetet e hapur për takime të tjera me Vetëvendosjen, pavarësisht se të premten liderët e dy partive deklaruan se ende janë larg një marrëveshjeje për formimin e institucioneve.
LDK-ja ka kërkuar që të ketë të drejtën për të propozuar kandidatin për president, ndërsa Vetëvendosje e ka cilësuar këtë si një kërkesë që nuk përputhet me rezultatin e zgjedhjeve.
Haziri e ka lidhur kërkesën e LDK-së me raste kur, sipas tij, posti i kryeministrit u është ofruar dy herë partive të tjera, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.
Në fund, ai ka mohuar se emri i tij është diskutuar si kandidat i mundshëm për postin e presidentit.