Rezultati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në zgjedhjet e 9 shkurtit, ku kjo parti u rendit e treta, ka shkaktuar pakënaqësi brenda strukturave të saj.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar se partia ka nevojë për një lidership të ri për të rikthyer besimin e qytetarëve.

Sipas tij, ky është i vetmi rrugëtim për ta ringritur partinë pas humbjes në zgjedhje.

Mirëpo, ndaj kësaj deklarate ka reaguar nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, i cili përmes një postimi në Facebook ka thënë se LDK nuk i takon funksionarëve, por anëtarësisë së saj.

“Në një ditë si kjo, duhet ritheksuar se LDK nuk i takon funksionarëve, por anëtarësisë saj. Anëtarësia e saj ka vendosur më 19 nëntor 2023 për një mandat të ri të lidershipit. Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, erdhi nga një Kuvend i jashtëzakonshëm, si pasojë e rezultatit më të rëndë historik”, ka shkruar Haziri.

Ai shtoi se as betejat e fituara nuk garantojnë luftën politike, e aq më pak ato të humbura nga ata që po e paraqesin LDK-në si të vdekur.

“Ky ishte Kuvend i përballimit të situatës së jashtëzakonshme, me frymë unifikuese e me rrugëtim të përbashkët. Ndonëse ishte një fushatë e jashtëzakonshme dhe një mobilizim i madh, rezultati nuk ishte ai që e deshëm. Por duhet ta ritheksojmë një të vërtetë të madhe: betejat e fituara nuk ta garantojnë luftën politike, e aq më pak betejat e humbura të atyre që sillen sikur LDK-së i ka rënë morti”, ka shkruar ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur rezultatet përfundimtare, ku fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me mbi 390 mijë vota, ose 42.30%.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dalë e dyta me mbi 190 mijë vota (20.95%), ndërsa LDK është renditur e treta me mbi 170 mijë vota (18.27%).

Koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate ka përfunduar i katërti me mbi 66 mijë vota (7.06%).