Një prej figurave më të vjetra dhe më të rëndësishme të LDK-së, Lutfi Haziri, në një intervistë për “ZEN me Artan Behramin” në T7, ka folur edhe për atë nëse ka vend në LDK për presidenten Vjosa Osmani.

Haziri ka thënë se zoti ua falë njerëzve gabimet e mëdha, por jo edhe budallakitë. Ai tutje ka shtuar se LDK-ja është bërë njëlloj tyrbeje ku njerëzit kthehen pas aventurave nëpër parti të tjera dhe gabimeve në karrierën e tyre politike.

“Zoti, i vetmi zoti është i mëshirshëm që fal gabime, por jo budallaki. Zoti fal gabime të mëdha njerëzve, por budallakitë s’jau fal”, ka thënë ai.

Nënkryetari i LDK-së ka thënë se ka ardhur koha që s’duhet lejuar të kthehen në parti për të kërkuar falje ata që e kanë tradhtuar partinë për interesa personale e partiake.

“LDK është bërë njëfarë tyrbe, që njerëzit çohen gabojnë, shkojnë në parti tjera rri, fito diçka, mandej në fund kur t’iu rrezikohet vendi atje, kthehen të shtëpia e vjetër, fito prapë diçka”.

“Besoj që ka ardhur një kohë kur s’duhet me leju ata që LDK-në bukfalisht e tradhtojnë, vazhdojnë me tradhtu për interesa personale, partiake, mos me pas mundësi me ardhë me kërku falje, sepse unë e quaj budallaki, nuk është gabim. Ose më mirë ta quajmë zgjedhje, kjo është zgjedhje, kur ke zgjedhur, e ki moshën e madhe, dhe kjo zgjedhje nuk i ka kaluar keq asaj, Vjosa është bërë presidente”, ka thënë Haziri./Express/