Haziri me akuza: Është bërë situatë e neveritshme, Kuvendi po mbahet peng
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se situata me Kuvendin është bërë e neveritshme, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje s’ka marrëveshje për formim të Qeverisë “prandaj Kuvendi po mbahet peng”. Haziri ka shtuar se deputetët s’po mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre për tejkalim të situatës. “E drejta politike për të propozuar s’do […]
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se situata me Kuvendin është bërë e neveritshme, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje s’ka marrëveshje për formim të Qeverisë “prandaj Kuvendi po mbahet peng”.
Haziri ka shtuar se deputetët s’po mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre për tejkalim të situatës.
“E drejta politike për të propozuar s’do të thotë e drejtë absolute. Marrëveshja politike është e pritshme, do të duhej të ndodhte por kjo s’po ndodh…Seanca e parë ka qenë e nevojshme për ta tejkaluar këtë, lërë më e dyta. Ky është problem serioz politik”, është shprehur Haziri.
Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar të mblidhen për vazhdimin e tetë të seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe në shtatë seancat paraprake deputetët kanë arritur të kalojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës – miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve – por, kanë ngecur në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kreut të ri të organit legjislativ.
Fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar. Kandidatja e kësaj partie për postin e kryeparlamentares, Albulena Haxhiu, në vazhdimet paraprake të seancës konstituive nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme. Ajo ka marrë vetëm 57 vota për apo katër më pak sesa kërkohen që të zgjidhet në këtë post.















