Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri, ka reaguar ndaj kritikave dhe debateve që, sipas tij, zhvillohen rreth partisë, duke theksuar se LDK ka kapacitetin të përballojë sfidat politike dhe të vazhdojë të luajë rol kyç në zhvillimet në vend.
Përmes një postimi në Facebook, Haziri tha se i kupton ata që japin këshilla për LDK-në, por shtoi se përvoja e tij shumëvjeçare në politikë e bën të qartë se pas disa kritikave fshihen agjenda të caktuara.
“I duroj e mundohem me i kuptu krejt ata që merren me LDK-në duke na këshillu e mësu se qysh duhet me u sjell… E di saktë për kend e bëjnë e për çfarë agjendash. Punë përvoje, po get. Po bahen 38 vjet në politikë”, ka shkruar Haziri.
Haziri thotë se partia ka aftësinë të përballet me çdo sfidë politike përmes debatit të brendshëm, marrëveshjeve politike dhe respektimit të demokracisë së brendshme.
“LDK din e mundet me u përball me agjendën e Republikës, duke përballu kërkesat e saj me debat të brendshëm, marrëveshje politike apo demokraci të brendshme”, tha Haziri.
Në postimin e tij, ai theksoi se zhvillimet politike pas pavarësisë dhe pas periudhës së Ibrahim Rugovës kanë dëshmuar, sipas tij, se LDK mbetet faktor i domosdoshëm në vend.
“Periudha post-independente dhe post-Rugoviste, veç një gjë e ka konfirmu: që pa LDK-në nuk ka as zgjidhje e as zgjedhje”, deklaroi Haziri.
Ai shtoi se stabiliteti institucional dhe normalizimi politik i Kosovës kalojnë përmes rolit të LDK-së.
“Stabiliteti e normalizimi i Republikës kalon përmes zyrave të LDK-së! Ia kemi borxh anëtarësisë dhe të ardhmes së Republikës. Koha më ka dhënë të drejtë që rikthimi i madh i LDK-së ndodh nga lart-poshtë, me marrëveshje të madhe politike, pa e dëmtu demokracinë e brendshme. LDK ishte parti ringritëse në një kohë të pakohë, sepse kur krejt ishin rrëzu e dorëzu, LDK nisi ringritjen tonë, si shoqni e organizume”, ka shkruar Haziri.
