Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka thënë se qeveria aktuale la “bommba të kuridisura” në dialogun me Serbinë.
Haziri këtë e ka thënë referuar marrëveshjes së Brukselit dhe më pas asaj të Ohrit.
Ai në një intervistë për emisionin “Spotlight”, prodhim i Gazetës Online Reporteri.net, ka thënë se marrëveshja Kurti-Vuçiq është mundësi e humbur dhe marrëveshje e keqe për Kosovën. Ai u shpreh se me këtë marrëveshje Kurti i ka lënë probleme serioze Kosovës.
“Mundemi me thënë që është mundësi e humbur, është mandat i humbur gjatë këtij katër vjeçari sepse krejt çka do të kujtojmë dhe krejt çka ka me i mbetë Kosovës për këto katër vjet është marrëveshja e keqe Kurti-Vuçiq sepse është bë konkluzion, është bë qëndrim i të gjitha shteteve anëtare të BE-së”.
“Do të thotë Komisioni Evropian, Këshilli Evropian Parlamenti Evropian e kanë qëndrim në tavolinë dhe ka me u kushtëzu Kosova. Kosova ka ndërtu marrëdhënie me u kushtëzu, tani ky është kusht. Në anën tjetër, po Serbisë iu ka hapë kapitulli 35, që nënkupton raporti i fqinjësisë së mirë, fqinjësia e mirë është me Kosovën dhe atyre iu ka rihapë ai kapitull dhe e kanë një kusht, por është problem i tyre, jo i joni. Kjo është mundësi e humbur dhe marrëveshje e keqe. Në të dy pikat Kurti Kosovës i ka lënë problem serioz brenda”, është shprehur Haziri.

Tutje Haziri ka thënë se është optimist që me ardhjen e emisarit të ri në dialogun Kosovë-Serbi, që sot u konfrimua se do të jetë danezi Sorensen, gjërat do të lëvizin para dhe do të ketë një qasje të re në dialog.
“Kemi një diplomat të ri që vjen me dioptrinë e OKB-së më shumë si diplomat, danez, por më shumë është një njohës dhe mik i madh i rajonit tonë. Sorensen është emri që do të merret tashmë me dialogun Kosovë-Serbi, nuk e ka kapelën e rajonit, si e ka pasë Lajçak”.
“Zgjedhja e presidentit Trump, marrëveshja e 4 shtatorit është dokument tjetër në tavolinë. Se sa do ta arrijnë me u harmonizu do të jenë çështje që LDK i trajton seriozisht. Kemi kapacitete dhe mundësi që të gjitha bombat e kurdisura që Kurti i ka lënë në marrëveshje dhe të gjitha problemet që iu ka shkaktu me hy në një proces të vështirë por me mirëbesim që me ia largu Kosovës fillimisht sanksionet financiare, limitet e këqija por edhe dokumentet e këqija në tavolinë”, ka thënë Haziri.