Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas kritikave dhe sulmeve për Luiza Gegën.

I pari i qeverisë shqiptare, përmes një postimi në Facebook, u ka dhënë përgjigje të gjitha kritikave dhe sulmeve ndaj tij dhe Qeverisë.

“Helmimi i përditshëm i gjakut të shoqërisë është kthyer në rutinë dhe faktet trajtohen si opinione, ndërsa opinionet imponohen si fakte me inat, mllef e urrejtje të pangushëllueshme”, ka sqaruar ai.

Rama ka thënë se kjo  “s’është diçka e re dhe s’do t’i shkruaja këto rreshta, sikur të mos isha mahnitur nga çmenduria që plasi sheshit bashkë me triumfin historik të Luiza Gegës. Shenjat e para të çmendurisë u panë qysh në fillim, kur nisën edhe zërat që uronin Luizën për të sharë qeverinë”.

Sipas Ramës, kur ai e kishte marrë sportisten në Kryeministri, e cila është kampionia ma e re e Evropës, për ta nderuar ashtu siç e meriton, pas një triumfi të paparë në historinë e sportit shqiptar, kjo ishte bërë shkak që të sulmohej me gjuhë të ashpër nga mediat dhe kundërshtarët politikë.

Sportistët Luiza Gega, Briken Calja, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, sipas asaj që shkruan Rama dhe ligjit të ri të Qeverisë, do të marrin gradën “Kolonel”. Ata janë punësuar aktualisht pranë Ministrisë së Mbrojtjes.