Një ftesë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ka shkuar në adresë të ushtruesit të Kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi ditë më parë.

Kjo ftesë bëri që të hënën, Kelmendi të ftojë në një takim urgjent, anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Atë ditë asnjë nga anëtarët e KPK-së, nuk treguan arsyen e një mbledhjeje të tillë, përfshirë edhe vetë Kelmendin.

Pas këtij takimi, që sipas tij Këshilli Prokurorial, janë diskutuar çështje të natyrës urgjente, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, konfirmoi për Dukagjinin, se ai ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit për masakrën e Reçakut dye atë sepse kishte qenë gjykatës në 2001 kur ishte dënuar një person.

“Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të  Shtetit, z. Besim Kelmendi, është emëruar për herë të parë si gjyqtar në vitin 2000, ndërsa më herët U.D. Kryeprokurori Kelmendi nuk ka qenë as gjyqtar e as prokuror. Ftesa për të cilën keni pyetur ka të bëjë me gjykimin e një të akuzuari  në vitin 2001, i cili ka marr pjesë në masakrën e Reçakut, ku U.D. Kryeprokurori Kelmendi së bashku me dy gjyqtarë ndërkombëtar dhe ku edhe prokurori ka qenë ndërkombëtar është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënimin maksimal me burgim”.

E pikërisht për këtë çështje, Besim Kelmendi, i cili është ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, nga viti 2022, është intervistuar në PSRK mesditën e sotme.

Pas intervistimit në një konferencë për media, ai tregoi se kishte qenë i punësuar edhe para luftës në Gjykatën e Qarkut porse tha se i ndihmoi UÇK-së me informacione.

“Në atë kohë për çdo gjë që i duhet UÇK jam unë ai që i kam mbajtur jo vetëm te informuar por kam rrezikuar punën dhe jetën duke marrë dosje për të dërguar aty ku e kishin vendin. Për të parë se çfarë po ndodhë aty deri te gjykata e Hagës. Unë për shkak të sigurisë në atë kohë kam vepruar me emrin Alban Lumi për herë të parë po e foli këtë publikisht..”, ka deklaruar  Besim Kelmendi – U.d. i kryeprokurorit të shtetit.

Kelmendi i ka  quajtur shpifje disa artikuj në media, sipas të cilëve ai kishte qenë asistent i gjyqtares serbe, Danica Marinkoviqit, tek tha se dikush brenda KPK-së, ka tendenca për t’ia zërë vendin.

“Unë kam njoftuar kolegjiumin e kësaj Prokurorie, KPK-në për të gjitha tendencat që dikush brenda sistemit dëshiron me çdo kusht me u bë ushtrues detyra i Kryeprokurorit të shtetit. Në momentin kur them që duhet të respektohet ligji, dhe procesi për anëtar të rinj në KPK e shihni çka ndodhë, aktivizohet Vehbi Kajtazi. Me shpifje e të zeza që janë veç kulturë e tij”, ka deklaruar ai.

Për masakrën e Reçakut, ende nuk ka ndonjë aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ndonëse disa herë është thënë se është duke u hetuar nga departamenti për krime të luftës.