Hetimi i OKB-së thotë se vrasjet masive, përdhunimet, rrëmbimet nga forcat e Sudanit përbëjnë gjenocid

Forcat paraushtarake të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në Sudan kanë kryer vrasje masive, rrëmbime të grave dhe vajzave, përdhunime në grup dhe kanë përdorur urinë si armë gjatë rrethimit dhe marrjes nën kontroll të qytetit al-Fashir në rajonin Darfur, sipas një hetimi të Kombeve të Bashkuara.

Në raportin e publikuar të mërkurën, Misioni i Pavarur i OKB-së për Verifikimin e Fakteve në Sudan tha se këto veprime përbëjnë një model të qëllimshëm dhune që mund të përbëjë gjenocid.

Sipas hetuesve të OKB-së, RSF-ja dhe aleatët e saj kryen krime lufte gjatë konfliktit me ushtrinë sudaneze, pasi qyteti al-Fashir ra nën kontrollin e tyre vitin e kaluar pas një rrethimi të gjatë.

Dëshmitarët dhe të mbijetuarit i kanë treguar misionit të OKB-së për raste përdhunimesh të kryera në dhoma ku ende ndodheshin trupat e civilëve të vrarë, përfshirë edhe anëtarë të familjeve të tyre.

Raporti thekson se RSF-ja kreu gjithashtu krimin e luftës të urisë së qëllimshme, duke vendosur një rrethim të zgjatur ndaj qytetit, duke penguar dërgimin e ndihmave humanitare dhe duke sulmuar sistemet e prodhimit të ushqimit, raporton Reuters.

RSF ka mohuar vazhdimisht akuzat për abuzime gjatë më shumë se tre viteve luftë civile në Sudan, duke pretenduar se raportimet janë fabrikuar nga kundërshtarët e saj. Grupi ka bërë gjithashtu akuza të ngjashme ndaj palës kundërshtare.

Shefi i të drejtave të njeriut në OKB ka paralajmëruar se një situatë e ngjashme mund të jetë duke u zhvilluar rreth qytetit al-Obeid, kryeqyteti i shtetit Kordofan Verior, ku janë dokumentuar ekzekutime të menjëhershme, rrëmbime, tortura dhe dhunë seksuale.

Shtete të ndryshme, përfshirë Britaninë e Madhe, kanë paralajmëruar për rrezikun e mizorive në shkallë të gjerë, pasi RSF ka grumbulluar forca rreth al-Obeid, qytet ku jetojnë rreth 500 mijë persona, përfshirë mbi 83 mijë të zhvendosur brenda vendit.

Në një raport të mëparshëm të publikuar në shkurt, misioni i OKB-së kishte thënë se vrasjet masive ndaj komuniteteve jo-arabe gjatë marrjes së al-Fashirit nga RSF-ja kishin shenja të gjenocidit.

Raporti i ri shton se hetuesit kanë gjetur prova të tjera që tregojnë se vrasjet në shkallë të gjerë, përdhunimet masive dhe uria e qëllimshme ishin pjesë e një politike të organizuar.

“Modelet që dokumentuam në al-Fashir – përfshirë rrethimin, sulmet ndaj infrastrukturës civile, kufizimin e ndihmave humanitare dhe abuzimet e përhapura ndaj civilëve – janë një paralajmërim i qartë”, tha Mohamed Chande Othman, kryetar i misionit të OKB-së.

Ai bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë veprime për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të katastrofës humanitare në Sudan.

Shija e redaktorit

BookFest rikthehet në Albi Mall: 10 ditë me zbritje speciale,...

Nga 10 deri më 19 korrik, Libraria Dukagjini sjell edicionin e katërt të BookFest, festivalit të librit që tashmë është shndërruar në një pikëtakim...

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Të fundit nga rubrika