Hill: Edhe unë po pyes pse nuk është formuar ende Asociacioni

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi Christopher Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Serbi, Christopher Hill, ka thënë të martën në Beograd, se është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai i ka bërë këto deklarata, pak para shënimit të përvjetorit të 10-të të Marrëveshjes së Brukselit, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“E kuptoj pse mu drejtuat me atë pyetje, sepse edhe unë e bëj të njëjtën. Këtë javë bëhen 10 vjet prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, dhe është koha që të formohet Asociacioni. Ajo se çfarë mund t’ju garantoj është që nuk do të dorëzohemi derisa të ndodhë”, u ka thënë Hill gazetarëve.

Sipas tij, serbët duhet të kenë besim në marrëveshje të tilla, sepse nëse nënshkruhen, ato me patjetër duhet të zbatohen.

“Një tjetër arsye, ndoshta edhe më e rëndësishmja, është që këto komunitete në Kosovë duhet ta dinë se çfarë e ardhme i pret, sepse ato nuk janë formuar dje, ato kanë qenë në Kosovë për vite. Dua vërtet t’ju siguroj që do ta trajtojmë këtë obligim me seriozitetin më të madh”, ka thënë ai.

Kur është pyetur për të komentuar deklaratën e zyrtarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin se “Serbia është një prej bazave për dezinformatë ruse në rajon”, Hill ka thënë se Rubin duhet të pyetet se çfarë ka dashur të thotë, mirëpo Shtetet e Bashkuara janë duke bërë gjithçka për të përmirësuar bashkëpunimin me Serbinë në shumë fusha.

“Ne jemi të interesuar për të punuar me Serbinë në të gjitha çështjet, ku Serbia është e interesuar të bashkëpunojë me ne”, ka thënë ai.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për formimin e Asociacionit më 2013 dhe më pas për parimet e tij më 2015.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që disa parime të marrëveshjes nuk janë në përputhje me kushtetutën, por që mund të harmonizohen.

Megjithatë, qeveria aktuale në Kosovë ka refuzuar formimin e asociacioneve njëetnike, duke thënë se mund të dëmtojnë funksionalitetin e Kosovës.

Pas presionit të komunitetit ndërkombëtar, Kosova është zotuar për të krijuar një “nivel të vetëmenaxhimit” për serbët./REL

Shija e redaktorit

Pritet votimi për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill...

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka bërë të ditur se çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE është këtë të martë në rend...

Hovenier: Shoqëritë janë më stabile nëse gratë janë ekonomikisht dhe...

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier derisa ka cituar një letër të presidentit amerikan, Joe Biden, ka thënë se...

Presidentja e Sllovenisë: Uroj që të jetojë derisa ta shoh...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, e cila do të marrë pjesë në...

Të fundit nga rubrika