Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, i është përgjigjur pyetjes se a është zgjidhje më e mirë shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryediplomati amerikan në Serbi ka thënë se e di që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë në agjendë shkëmbimin e territoreve.

Më tutje, Hill ka thënë se ideja e shkëmbimit të territoreve është ide e shekullit të kaluar dhe nuk beson se një ide e tillë mund të realizohet në paqe ku të gjitha palët do të ishin të kënaqura.

“Unë nuk besoj dhe e di me siguri që shkëmbimi i territoreve nuk është në agjendën e Shteteve të Bashkuara. E di se kjo ka qenë një temë e shekujve të kaluar, jo vetëm në Evropë, por edhe në vendet të tjera, por shkëmbimet e territoreve mund të jenë shumë fatale dhe mund të përfundojë që shumë njerëz të mbesin të palumtur me këtë”, ka thënë Hill, në një intervistë për televizionin lokal të Luginës, RTV Aldi.

“Vendimet që janë marrë në shekullin 20 kanë qenë shumë të vështira. Askush në Bruksel, askush në Washington dhe askush në rajon.. vetëm pak njerëz ndoshta mund të besojnë se shkëmbimi i territoreve do të bëhej në mënyrë paqësore”, ka sqaruar ambasadori amerikan.

Hill ka thënë se ajo për çfarë duhet të brengosemi është se “si njerëzit të mund të besojnë dhe të ndihen që mund të lëvizin lirshëm nëpër rajon dhe të mos bllokohen vetëm në një vend të caktuar”.

Ndërsa, ai ka përfunduar duke thënë se çështja e shqiptarëve në Serbi nuk mund të bëhet pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por sipas tij kjo është temë e brendshme e shtetit serb dhe shqiptarët meritojnë trajtim të barabartë me qytetarët e tjerë në Serbi.