Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christophr Hill, ka folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ka thënë se “zgjidhja e çështjeve teknike në politikë nuk është për njerëzit që duan zgjidhje të shpejta”. Sipas tij, në fund do të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Ai e vlerësoi dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës si një proces shumë të vështirë dhe se të gjithë e kuptojnë se situata është e vështirë, por, gjithashtu, tregoi se në anën tjetër është e nevojshme formimi i Asociacionit të Komunave Serbe.

“Ka një vetëdije në mesin e politikëbërësve amerikanë se serbët në Mitrovicën e Veriut dhe Kosovën, në realitet, duhet ta kenë këtë çështje të zgjidhet përmes Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në një intervistë për mediumin Dnevnik Nova.

“Është një çështje, me të cilën po merren, edhe evropianët, edhe SHBA-ja, dhe ndonëse nuk do të ketë përparim në çdo takim, në fund do të kemi një Bashkësi të Komunave me shumicë serbe”, ka theksuar diplomati amerikan.

“Nuk besoj se këto zgjedhje mund të kenë një ndikim pozitiv në komunat me shumicë serbe në afat të gjatë dhe është e rëndësishme për mua që të fokusohemi dhe ta tejkalojmë atë dhe të arrijmë në Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe”, ka shtuar Hill.

“Kur keni çështje teknike në politikë, nuk është për njerëzit që duan rregullime të shpejta.” Duhet kohë për t’i zgjidhur ato. Dallimet janë të thella dhe është koha që njerëzit të fillojnë të dëgjojnë njëri-tjetrin më mirë për të gjetur një zgjidhje”, ka përfunduar ai.