Historia prekëse e foshnjës 5 muajshe në Gaza, që lufton për jetën mes urisë dhe bombardimeve
Nuk ka më asnjë emocion kur kalon kamera. Fëmijët as që e hedhin një sy. Çfarë mund të befasojë një fëmijë që jeton mes të vdekurve, të plagosurve dhe atyre që presin të vdesin? Uria i ka shteruar. Ata presin në radhë për pak ushqim – ose fare. Janë mësuar me kamerën e kolegut tim […]
Nuk ka më asnjë emocion kur kalon kamera. Fëmijët as që e hedhin një sy. Çfarë mund të befasojë një fëmijë që jeton mes të vdekurve, të plagosurve dhe atyre që presin të vdesin? Uria i ka shteruar.
Ata presin në radhë për pak ushqim – ose fare. Janë mësuar me kamerën e kolegut tim lokal që filmon për BBC-në. Ai është dëshmitar i urisë së tyre, i vdekjes, i mbështjelljes së trupave me çarçafë të bardhë, ku shkruhen emrat – nëse dihen.
Për 19 muaj me radhë, përfshirë ofensivën e fundit izraelite, ky kameraman lokal – emrin nuk e tregoj për sigurinë e tij – ka dëgjuar britmat e të mbijetuarve në oborret e spitaleve.
Edhe pse qëndron fizikisht larg, ai është njëri prej tyre, i ngujuar në të njëjtën “ferr” klaustrofobik. Këtë mëngjes, ai është nisur të kërkojë një vajzë pesëmuajshe, Siwar Ashour, që e kishte tronditur thellësisht kur e kishte filmuar në spitalin Nasser në Khan Younis. “Dicka u thye brenda meje”, më kishte shkruar ai.
Siwar peshonte vetëm 2 kilogramë – ndërsa në moshën 5 muajshe një foshnjë duhet të jetë të paktën 6 kg.
Tashmë ajo është liruar nga spitali dhe ndodhet në shtëpi, sipas informacioneve që ka marrë kolegu im. Për këtë arsye ai hyn në një lagje me shtëpi të rrënuara dhe strehime të improvizuara nga llamarina dhe pëlhura.
Në një barakë me një dhomë, me hyrje të mbuluar nga një perde me lule gri e të zeza, gjen tri dyshekë, një komodinë dhe një pasqyrë që reflekton dritën mbi dysheme – përballë Siwarit, nënës së saj Najwa dhe gjyshes Reem.
Foshnja është e qetë në praninë mbrojtëse të dy grave.
Por nuk mund të pijë formulë të zakonshme qumështi, pasi ka një alergji të rëndë. Në kushtet e luftës dhe bllokadës izraelite ndaj ndihmave, mungon seriozisht formula speciale që i duhet.
Najwa, 23 vjeç, tregon se gjendja e vajzës u stabilizua përkohësisht në spitalin Nasser, ku u lirua me vetëm një kuti formule. Tani në shtëpi, pesha e saj po bie sërish.
“Mjekët më thanë se Siwar është më mirë se më parë, por ajo është ende shumë e dobët. Qumështi po mbaron,” thotë ajo.
Mizat vallëzojnë para fytyrës së saj. “Situata është shumë e rëndë. Mizat i bien sipër dhe unë duhet ta mbuloj me një shall që të mos e prekin”, tregon Najwa.
Siwar ka lindur në nëntor dhe nuk ka njohur asgjë përveç luftës: predhat, raketat, bombat, dronët izraelitë. “Ajo i kupton këto gjëra. Kur dëgjon tanket ose avionët luftarakë, trembet dhe qan. Edhe në gjumë, kur i dëgjon, zgjohet duke qarë.”
Mjekët thonë se shumë nëna të reja në Gaza nuk kanë mundësi të ushqejnë me gji fëmijët për shkak të kequshqyerjes. Problemi më urgjent është ushqimi dhe uji i pijshëm.
Najwa vetë ishte e kequshqyer kur lindi Siwarin, dhe ende sot, bashkë me nënën e saj Reem, e kanë të pamundur të sigurojnë ushqim për vete. “Nuk kemi qumësht, as pelena. Janë shumë të shtrenjta dhe kufijtë janë të mbyllur.”
Ndërkohë, autoritetet izraelite pretendojnë se nuk ka mungesë ushqimi në Gaza. Më 22 maj, trupi ushtarak izraelit COGAT deklaroi se “sasi të mëdha të ushqimit për foshnje dhe miell për furrat” janë futur në enklavë. Ata pohojnë se Hamasi vjedh ndihmat, ndërsa qeveria e Izraelit e ka bërë të qartë se lufta do të vazhdojë derisa Hamasi të shkatërrohet dhe pengjet izraelite të lirohen.
Por agjencitë humanitare, Kombet e Bashkuara dhe shumë shtete, përfshirë Britaninë, e kundërshtojnë këtë pretendim. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se palestinezët po përjetojnë “fazën më mizore të kësaj lufte mizore”. Ndihma, sipas tij, është “një lugë çaji”.
Sipas OKB-së, 80% e Gazës është tashmë ose zonë ushtarake izraelite, ose vend nga i cili njerëzit janë urdhëruar të largohen.
Shumë deklarata, dënime e “momente kthese” janë bërë gjatë këtyre muajve, por e vetmja gjë që nuk ka ndryshuar është vuajtja e 2.1 milionë banorëve të Gazës – si Najwa dhe vajza e saj e vogël, Siwar.
“Nuk mendojmë për të kaluarën apo për të ardhmen,” thotë Najwa.
“Vetëm për të tashmen. Dhe si të mbijetojmë edhe sot.”















