Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, teksa ka publikuar një analizë të detajuar të raportit të Institutit Ndërkombëtar për Parandalimin e Korrupsionit (INPO) për vitin 2023, ka theksuar se gjatë këtij raporti nuk ka pasuar asnjë avancim në prokurimin publik.

Sipas tij, ka një bllokadë për probleme që përfshijnë vonesa të afateve ligjore, diskriminim ndaj operatorëve, ndryshime joligjore të rregullores së punës dhe mungesë transparence në shqyrtimin e ankesave.

Hoti ka identifikuar dhjetë vërejtje kryesore nga monitorimi i punës së Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) gjatë vitit 2023.

Disa nga pikat e theksuara përfshijnë numrin e lartë të ankesave të depozituara dhe problemin e zgjidhjes së tyre brenda afatit ligjor, si dhe rritjen e kohës mesatare të zgjidhjes së ankesave.

Gjithashtu, Hoti ka shprehur shqetësim për ndryshimet në rregulloren e punës, të cilat sipas tij, kanë ndodhur në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe kanë rezultuar në mungesë të transparencës.

Ai ka përmendur edhe pamundësinë e shoqërisë civile për të monitoruar efikasitetin e OShP-së, si dhe ndërprerjen e funksionimit të Bordit të OShP-së për një periudhë të caktuar, që sipas tij, ka dëmtuar të drejtat e operatorëve dhe bllokuar investimet publike.

Hoti ka theksuar mungesën e koordinimit mes zyrave dhe departamenteve si një problem tjetër kyç në sistemin e prokurimit publik në Kosovë.