Avdullah Hoti, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se flet në shifra, ndërsa zëvëndëskryeministri është inteligjent dhe rrethanat përpiqet t’i interpretojë në intelegjencën e vet.

Një reagim i tillë i Hotit vjen për shkak se Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se janë shpërndarë disa dezinformata se qeveria po i mban paratë, dhe të cilat, nuk po i shpenzon.

“Zëvëndëskryeministri është shumë inteligjent dhe mundohet që rrethanat t’i interpretojë në intelegjencën e tij, mirëpo unë shoh shifra. Nuk jam intelegjent sa është ky”, ka deklaruar Hoti, gjersa ka thënë se shifrat tregojnë që eksporti në vend është rritur në 150 milionë dhe se importi në 800 milionë.

Sipas tij, kjo flet shumë për vendet e punës dhe importet me vendet fqinjë.

“Kjo tregon se 40 mijë vende të reja të punës s’po japin rezultat, s’janë fare ose janë thjesht formalizim i punës. Kjo tregon që me Serbinë e keni rritur importin, ndërsa me Shqipërinë e keni zvogëluar”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, do të duhej që 200 milionë euro të liheshin te qytetarët e jo te bilanci bankar.

Bislimi ka kërkuar nga opozita që e ajo t’i ndalë dezinfomatat lidhur me mosshpenzimin e buxhetit, duke shtuar se të hyrat janë rritur për 12 për qind.

“Dua të deklarohem për atë që gjoja që qeveria po i mban paratë në thesar dhe nuk po i shpenzon. Në ditën e sotme të vitit të kaluar në thesar kemi pasur 702 milionë euro, sot kemi 607 milionë euro kemi mjete më pak se vitin e kaluar. Në ndërkohë që të hyrat janë rritur 12 për qind, është mirë ta ndaloni këtë dezinformatë se nuk i shërben askujt”, ka deklaruar ai.