Hoti: Fondi Sovran dëmton konkurrencën, investimet private, ndërmarrjet publike dhe buxhetin e shtetit

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti gjatë intervistës në emisionin FIVE, 18 prill 2023.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se Fondi Sovran dëmton konkurrencën, investimet private, ndërmarrjet publike dhe buxhetin e shtetit.

Sipas tij, themelimi i këtij fondi do ta dëmtojë konkurrencën e lirë.

“Themelimi i Fondit Sovran do të jetë një hap i madh prapa në ambientin e të bërit biznes. Të gjitha analizat vlerësojnë se do të dëmtohet konkurrenca e lirë e do të krijohet pasiguri për buxhetin e shtetit. Në çdo nen të tij, Ligji për Fondin Sovran dhe koncept dokumenti përkatës kanë për bazë ideologjinë ekonomike që është e kundërt me liberalizmin ekonomik”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Hoti ka renditur vërejtjet që sipas tij shkakton Ligji për Fondin Sovran.

  • Qeveria i shpall disa kompani private si “Kampionë Nacionalë”, në të cilat investon Fondi Sovran. Pra, Qeveria përcakton se cilat kompani private përfitojnë nga investimet e Fondit. Ky veprim e kufizohen drejtpërdrejt konkurrencën e lirë. Për më tepër, kjo qasje paraqet kapje të sektorit privat nga Qeveria sipas modelit kinez të kapitalizmit shtetëror.
  • Ndërmarrjet publike në kuadër Fondit Sovran mund t’i japin hua njëra tjetrës. Kjo politikë ekonomike është reminishencë e komunizmit, ku ndërmarrjet shtetërore të atëhershme e financonin njëra-tjetrën derisa i gjithë sistemi ekonomik dhe financiar i asaj kohe kolapsoi nga joefiçiencat masive.
  • Edhe pse Fondi Sovran thuhet se do të jetë institucion i pavarur, ligji përcakton se çdo veprim strategjik i Fondit bëhet në koordinim me Qeverinë, që nga përgatitja e strategjisë investive të Fondit, përcaktimit të listës së aseteve nën menaxhim të Fondit, certifikimit të “Kampionëve Nacionalë” siç u definuar në pikën 1 më lartë, e deri tek vendimet specifike. Kështu që, Fondi Sovran është vetëm instrument i Qeverisë për të kontrolluar ndërmarrjet publike dhe për të favorizuar ndërmarrje të caktuara private.Kjo mund të vërehet edhe me faktin se Kuvendi i Kosovës, përmes mazhorancës qeverisëse, parashihet të ushtrojë detyrat e kuvendit të aksionarit të Fondit.
  • Fondit Sovran do t’i transferohen ndërmarrje që aktualisht janë nën menaxhimin e Qeverisë dhe Agjencisë së Privatizimit. Me këtë rast, ato ndërmarrje i nënshtrohen “ristrukturimit”. Por, problemi qëndron se kjo mazhornacë majtiste që është në pushtet, ristrukturimin e kupton vetëm si ndryshim të Bordit, e jo ndryshim të kapitalit, operacioneve, prodhimit/shërbimit, zinxhirit të vlerës dhe ripozicionimit në treg të ndërmarrjes. Problem në vete është fakti se nëse ndërmarrjet që transferohen në Fond kanë borxhe, atëherë borxhet mbesin tek Qeveria dhe Agjencia e Privatizimit, duke e rritur barrën për shtetin.
  • Ndërmarrjet publike ekzistuese funksionojnë në tregje të rregulluara, me përjashtim të Trepçës dhe Telekomit që shesin produktet dhe shërbimet e tyre në tregje konkurrente. Duke qenë të rregulluara, ndërmarrjet publike kanë strukturë dhe nivel të shpenzimeve të përcaktuara nga rregullatorët përkatës, të cilat bazohen në kostot e produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë. Në shumicën e rasteve, çmimi që paguajnë konsumatorët përcaktohet nga rregullatorët përkatës, e jo nga tregu i lirë. Kjo e vë në pikëpyetje idenë e komercializimit klasik të këtyre ndërmarrjeve, dhe, rrjedhimisht, arsyeshmërinë e përfshirjes së tyre në Fond.
  • Shembujt në të cilët bazohet Fondi Sovran nuk vlejnë për Kosovën, si ekonomi e tregut të lirë dhe e orientuar drejt tregut evropian. Rasti i Sllovenisë e ka vërtetuar këtë, ku barra për buxhetin e shtetit nga mbajtja e ndërmarrjeve në pronësi të shtetit është bërë e papërballueshme dhe shumë nga ato ndërmarrje kanë mbetur prapa konkurrencës sa i përket teknologjisë. Kosova nuk ka teprica buxhetore, siç është rasti i disa vendeve, të cilat teprica do të mund të investoheshin në këtë Fond.
  • Neni 7.3 specifikon se Fondi ushtron veprimtarinë në kushte të barabarta të tregut. Por të gjitha aranzhimet në kuadër të ligjit përcaktojnë se ky Fond është mbi: ligjin për shoqëritë tregtare, ligjin për AKP-në, ligjin e prokurimit, ligjin e punës dhe ligjin për ndërmarrjet publike. Këto aranzhime ligjore për Fondin Sovran nënkuptojnë se po krijohet një entitet që nuk do të përfill parimet bazike të rregullativës ekonomike.

Shija e redaktorit

VV e PDK lëshojnë sallën, dështon votimi i buxhetit të...

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë braktisur mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, e cila kishte si...

Boksieri shqiptar Roberto Bakaj fiton meçin me nokaut

Roberto Bakaj ka shënuar fitore në meçin e zhvilluar në Harrow Leisure Center. Bakaj ashtu si vëllai i tij arriti ta nokautoj kundërshtarin, Shaban Hamadi...

Amarildo Bakaj fiton meçin me nokaut

Amarildo Bakaj ka shënuar një tjetër fitore në boksin profesionist. 25-vjeçari arriti fitore ndaj kundërshtarit, Mawuli Folivi në meçin e zhvilluar në Harros Leisure Center. Bakaj...

Të fundit nga rubrika