Duke iu referuar Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se në muajin gusht të këtij viti krahasuar me vitin e kaluar, janë rritur importet nga Serbia për 30%, kurse nga Shqipëria janë ulur 10%.

Hoti tha se Qeveria mund të arsyetohet se kjo është ekonomi e tregut të lirë, por sipas tij, të njëjtën gjë ka qenë dashur ta thonë edhe në kohën kur i përmbysnin kamionët me mallra serbe.

“Importet me vendet e regjionit, për muajin gusht, nga Shqipëria janë zvogëluar importet për 10%, por nga Serbia janë rritur për 30%, dhe këtu keni thënë se është ekonomi e hapur, në rregull, por ka pasur ekonomi të tregut edhe kur i keni përmbysur kamionët që vinin nga Serbia”, ka thënë Hoti.

Tutje, Hoti duke i cituar statistikat e ASK-së, ka thënë se eksportet janë rritur për 150 milionë euro, por importet po ashtu janë rritur për 800 milionë euro.

“Eksportet janë rritur për 150 milionë, por importet janë rritur me 800 milionë, kjo e ka çuar deficitin tregtar në 3 miliardë, që është rritje për 56% krahasuar me vitin paraprak, këtu e keni thyer një rekord vetes sepse kështu po i interpretoni këto çështje”, ka thënë Hoti.

Deputeti i LDK-së theksoi se në të gjitha kategoritë e mallrave, Kosova është duke importuar më shumë sesa në vitet e kaluara. Kjo sipas tij, i vë në pikëpyetje deklarimet e qeverisë se ka rritje ekonomike apo rritje të vendeve të punës.