Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kërkuar mbledhjen urgjente të Kuvendit të Kosovës për të diskutuar lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Hoti ka theksuar se kanë kaluar gjashtë ditë nga shpallja e aktgjykimit dhe se, sipas tij, Kuvendi ende nuk është mbledhur për të diskutuar qëndrimet e grupeve parlamentare dhe të Qeverisë lidhur me këtë çështje.
Hoti ka kërkuar që institucionet e Kosovës të respektojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor, por njëkohësisht të mbajnë qëndrim institucional ndaj aktgjykimit.
Ai ka propozuar që Kuvendi të miratojë një rezolutë të re për angazhimin shtetëror të Kosovës gjatë procesit të shqyrtimit të çështjes në shkallën e dytë.
“Para së gjithash, Kuvendi duhet ta bëjë të qartë: askush nuk mund ta kriminalizojë luftën e popullit të Kosovës për mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe për liri”, ka shkruar Hoti.
Hoti ka kërkuar gjithashtu që Qeveria të ndërmarrë një mobilizim diplomatik me aleatët ndërkombëtarë që kanë mbështetur themelimin e Dhomave të Specializuara.