Hoti: KQZ-ja ka dështuar të sigurojë një proces zgjedhor kredibil e me integritet
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për dështim në sigurimin e një procesi zgjedhor të besueshëm dhe me integritet. Ai ka theksuar se shpallja e rezultateve pesë javë pas zgjedhjeve tregon dështimin e sistemit për menaxhimin e procesit zgjedhor. Hoti, i cili do të jetë deputet edhe në legjislaturën e ardhshme, […]
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për dështim në sigurimin e një procesi zgjedhor të besueshëm dhe me integritet.
Ai ka theksuar se shpallja e rezultateve pesë javë pas zgjedhjeve tregon dështimin e sistemit për menaxhimin e procesit zgjedhor.
Hoti, i cili do të jetë deputet edhe në legjislaturën e ardhshme, ka thënë se kjo situatë është për keqardhje, sidomos pas disa palë zgjedhjeve të organizuara sipas standardeve evropiane, që më parë e veçonin Kosovën nga shtetet e tjera të Ballkanit.
Ai ka vlerësuar se qytetarët treguan një kulturë të lartë demokratike në ditën e zgjedhjeve, por ka shprehur shqetësim për votimin nga diaspora, duke përmendur dyshimet lidhur me procesin e votimit në ambasada dhe konsullata, si dhe për votimin me postë.
“Kjo është për keqardhje pas kulturës demokratike të treguar nga qytetarët në ditën e zgjedhjeve. Njollë e këtyre zgjedhjeve do të mbetet edhe çështja e votave nga diaspora, për të cilat janë hedhur dyshime, si për votimin në ambasada/konsultata, ashtu edhe për votimin me postë. Këtë nuk e ka merituar Kosova. Për këto dështime duhet të ketë përgjegjësi politike dhe ligjore”, ka shkruar Hoti në Facebook.















