Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar pas lansimit të programit të quajtur “Dritare për Investimet e Diasporës” nga kryeministri Albin Kurti.

Në një postim në Facebook, Hoti ka akuzuar se kryeministri po e përdor këtë program për të siguruar votat e diasporës, duke premtuar se do të tërheqë investime nga diaspora në Kosovë.

Ai ka përmendur edhe mospërmbushjen e premtimit të kryeministrit Kurti për funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës për udhëtime me kosto të ulët, plan që sipas tij do të lehtësonte udhëtimin e mërgatës në Kosovë.

“Sikur këto mjete prej 100 milionë euro të ishin investuar në funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës siç ka qenë premtimi i Kurtit, sot diaspora jonë do të udhëtonte më lirë drejt vendlindjes. Miliona euro që sot shpenzohen në bileta aeroplani do të mund të investoheshin në Kosovë pa asnjë garancion qeveritar, sepse Kosova është vendi ynë,” ka shkruar Hoti.

Gjithashtu, Hoti ka theksuar se deputetëve të Qeverisë Kurti nuk iu vjen turp të mashtrojnë pa ndal qytetarët në Kosovë e në diasporë.

“Ne nuk kemi pse të ndihemi keq të shfaqim mashtrimet e tyre çdo ditë,” ka shtuar ai.

Lansohet “Dritarja për Investime të Diasporës”