Hoti: Krizë mbi krizë deri te rënia e qeverisë
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka renditur pesë tema për të cilat sipas tij Qeveria e Kosovës ka dështuar të japë zgjidhje për to. Pika e parë, sipas Hotit, ka të bëjë me grevën e gjithmbarshme në arsim, për të cilën e ka fajësuar Qeverinë për mungesë të një dialogu të mirëfilltë. “Një muaj […]





Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka renditur pesë tema për të cilat sipas tij Qeveria e Kosovës ka dështuar të japë zgjidhje për to.
Pika e parë, sipas Hotit, ka të bëjë me grevën e gjithmbarshme në arsim, për të cilën e ka fajësuar Qeverinë për mungesë të një dialogu të mirëfilltë.
“Një muaj nxënësit rrinë në shtëpi. Në vend që të dialogohet 24 orë deri të gjendet zgjidhja, qeveria bën luftë me sindikata. Shtyhet ligji i pagave pa nevojë, por as nuk plotësohet kërkesa e sindikatave për 100 euro shtesë në muaj, edhe pse e realizueshme në aspektin buxhetor”, ka thënë Hoti.
Hoti e ka përmendur edhe gjendjen në sektorin e shëndetësisë, e cila sipas tij është në krizë.
Ai e ka kritikuar ministrin Rifat Latifi, të cilin e ka quajtur “ministër me korrespodencë”.
“Ministri i Shëndetësisë është non-ekzistent, ai është ministër me korrespondencë. Si rezultat, kryeministri merr përsipër detyrat e ministrit duke kryesuar vetë një komision qeveritar për shëndetësi”, ka shkruar Hoti.
Deputeti i LDK-së e ka kritikuar edhe politikën e jashtme të Qeverisë së Kosovës, e cila sipas tij ka dështuar të sjellë njohje për një vit e gjysmë.
“Asnjë njohje apo anëtarësim për një vit e gjysmë. Shumë ambasada, e në veçanti ato në vendet kryesore mike janë me mungesë të stafit esencial. Grevë e stafit të MPJ-së për shkak të trajtimit joadekuat. Gafa të vazhdueshme të ministres dhe mungesë elementare e njohurive në diplomaci”, është shprehur Hoti.
Ai e ka kritikuar ekzekutivin edhe për mungesën e menaxhimit të krizës ekonomike. Sipas Hotit, Qeveria nuk është konsultuar fare me komunitetin e biznesit.
“Qeveria nuk e ka idenë se si të përballohet inflacioni i lartë dhe kriza energjetike. Nuk ka konsultime me komunitetin e biznesit. Investimet e jashtme më të ulëta se në vitin 2019. Shpenzimet kapitale të qeverisë në nivelin më të ulët që ka qenë ndonjëherë me vetëm 9%. Papunësia mbetet aty ku ka qenë më 2019. Bilanci bankar i Qeverisë arrin në 600 milionë euro, me kosto të mëdha oportune për qytetarët dhe bizneset”, ka theksuar Hoti.
Ish-kryeministri i Kosovës ka thënë po ashtu se dialogu është në “udhë pa krye”. Ai e ka kritikuar Qeverinë duke thënë se janë treguar hipokritë, duke i implementuar marrëveshjet të cilat në të kaluarën i kanë sharë.
“Përveç një togfjalëshi absurd se “njohja duhet të jetë në qendër”, (pse jo në lindje apo perëndim, në të djathë apo në të majtë, në fillim apo në fund?), që përsëritet pa pushim, tjetër parim të dialogut nuk ka. Askush nuk di se çfarë po bisedohet. I kanë sharë marrëveshjet e mëparshme, e tash ato dolën që janë të duhura për të vendosur sovranitetin shtetëror në tërë territorin. Deklarimet e forta se: nuk ka dialog me Serbinë por me serbët lokalë, se nuk ka dialog pa kërkim falje, nuk ka dialog pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve e të tjera, u harruan plotësisht. Vendin e tyre e zunë darkat e përbashkëta”, ka thënë Hoti.




















