Hoti – Kurtit: Po bën propagandë si komunistët
Avdullah Hoti, ish-kryeministri i Kosovës, ka kritikuar kryeministrin aktual, Albin Kurti, për lëvdatat e tij në mbledhjen e qeverisë për rritjen e Bruto Produktit Vendor për vitin 2023, duke e krahasuar atë me situatën e vitit 2000. Në një postim në Facebook, Hoti e ka akuzuar Kurtin se po përdor propagandën, krahasuar me praktikat e […]
Avdullah Hoti, ish-kryeministri i Kosovës, ka kritikuar kryeministrin aktual, Albin Kurti, për lëvdatat e tij në mbledhjen e qeverisë për rritjen e Bruto Produktit Vendor për vitin 2023, duke e krahasuar atë me situatën e vitit 2000.
Në një postim në Facebook, Hoti e ka akuzuar Kurtin se po përdor propagandën, krahasuar me praktikat e komunistëve të cilët, siç thotë ai, mashtronin qytetarët me arritjet e planeve 5-vjeçare, ndërkohë që populli varfërohej.
Hoti ka theksuar se në vitin 2000, Kosova sapo kishte dalë nga konflikti dhe ndikimet e politikës së tokës së djegur të zbatuara nga regjimi serb.
“Sot, në hapje të mbledhjes së Qeverisë, kreu i Qeverisë lëvdohej duke e krahasuar Produktin e Brendshëm Bruto të vitit 2023 me atë të vitit 2000. Të gjithë e dinë se në vitin 2000, ne sapo ishim kthyer nga deportimi i “politikës së tokës së djegur”, që u zbatua sistematikisht nga regjimi serb. Në vitin 2000, gjysma e shtëpive ishin të djegura. Kafshët shtëpiake dhe mjetet bujqësore ishin të vjedhura e të shkatërruara”, ka shkruar ai.
Ai përmend shkatërrimin e infrastrukturës, shtëpitë e djegura, dhe bizneset e plaçkitura, duke theksuar se një krahasim më i përshtatshëm do të ishte me periudhën e konfliktit 1998-99, ku rritja ekonomike ishte më e madhe seç është treguar tani.
“Infrastruktura shkollore, shëndetësore e rrugore ishte shkatërruar gati plotësisht nga lufta e nga mungesa e investimeve mbi 10 vjet. Shumica e bizneseve ishin plaçkitur e duhet të nisnin nga e para. Kjo sjellje e kreut të Qeverisë është propagandë e marrë, sikur ajo e komunistëve, të cilët mashtronin qytetarët me ‘arritjet e planeve 5-vjeçare’, në ndërkohë që qytetarët varfëroheshin. Unë i propozoj atij ta bëj krahasimin me vitin 1998-99. Sigurisht se rritja i del të jetë jo 5 herë, por 10 herë më e madhe!”, ka shkruar Hoti në Facebook.















