Hoti: Lista Serbe nuk është populli serb, Kosova nuk është Serbi

Deputeti Andin Hoti ka reaguar pas deklaratave të deputetit serb, Sllavko Simiq, duke kritikuar atë dhe Listën Serbe për, siç tha, përsëritjen e gjuhës politike të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka theksuar se reagimi i tij vjen vetëm dy ditë pasi Beogradi zyrtar i dha nderime Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid.

“Vetëm dy ditë pasi Beogradi zyrtar i dha nderime Ratko Mlladiqit, të dënuar për gjenocid, sot deputeti Simiq, në mes të Prishtinës, përsërit gjuhën politike të Vuçiqit duke pretenduar të flasë ‘në emër të popullit serb’”, ka shkruar Hoti.

Ai ka deklaruar se Lista Serbe nuk përfaqëson të gjithë komunitetin serb në Kosovë.

“Duhet të jetë e qartë: Lista Serbe nuk është populli serb”, ka theksuar ai.

Hoti ka folur edhe për mënyrën e propozimit të kandidatit nga komuniteti serb për Nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.

“Kandidati nga komuniteti serb për Nënkryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, ashtu siç përcaktojnë rregullat kushtetuese të Republikës së Kosovës, jo nga Beogradi dhe jo ‘në emër të popullit serb’”, ka deklaruar ai.

Sipas Hotit, të drejtat e komuniteteve në Kosovë janë të garantuara, por ato nuk duhet të përdoren si instrument politik i Beogradit.

“Kosova është Republikë demokratike dhe ua garanton të drejtat të gjitha komuniteteve të saj. Por këto të drejta nuk mund të shndërrohen në instrument të politikës së Vuçiqit brenda institucioneve të Kosovës”, ka shkruar ai.

Në fund, Hoti i është drejtuar drejtpërdrejt Simiqit dhe Listës Serbe.

“Simiq dhe Lista Serbe duhet të mësohen me këtë realitet. Kosova nuk është Serbi. Kuvendi i Kosovës nuk është Beograd”, ka përfunduar Hoti.

Të fundit nga rubrika