Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas konfirmimit të masave nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës duke kërkuar një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

“Më 28 qershor 2023, BE e paska njoftuar Qeverinë e Kosovës për sanksionet e vendosura: suspendimi i MSA-së, suspendimi i projekteve që financohen nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, pezullimi i fondeve të IPA, pezullimi i takimeve të larta dy palëshe dhe masa të tjera”, ka thënë Hoti.

Sipas Hotit, Qeveria e Kosovës nuk ka qenë transparente me qytetarët për këtë vendim të marrë nga BE-ja.

“Qeveria e Kosovës nuk e ka njoftuar as Kuvendin e Kosovës dhe as qytetarët për këtë situatë të re. Kuvendi duhet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar dhe për tu dakorduar për kursin e veprimeve”.

Më tej, Hoti i ka pasur disa pyetje, “Ku është Presidentja e vendit? Pse nuk po e ushtron funksionin e saj?”

Ndërsa, sipas ish-kryeministrit të Kosovës, “ky binom po e çojnë Kosovën në një rrugë tjetër, jo në atë të perëndimit”.

“Një gjë është e qartë: Kosova nuk mund të udhëhiqet nga një Kryeministër dhe Presidente, të cilët i sjellin vendit sanksione në vend të integrimit euro-atlantik”, ka përfunduar Hoti.